Secondary Adv

Transformimi urban i Vlorës: FSHZH tender 688 mln lekë për hapësira rekreative, treg modern e parkim

Dy gara të reja të Fondit Shqiptar të Zhvillimit synojnë transformimin urban të Vlorës me hapësira rekreative, treg modern dhe parkim nëntokësor.

Parkim nëntokësor dhe hapësira të reja publike

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur garën për ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit, një parkim nëntokësor dhe një park shlodhës në afërsi të sheshit “Pavarësia”, me fond limit 509 milionë e 44 mijë lekë. Projekti synon të rrisë kapacitetet e parkimit në një zonë me fluks të lartë, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur qyteti përjeton shumëfishim të vizitorëve. Parkimi me një kat nëntokë dhe hapësira rekreative mbi të do të përmirësojnë qarkullimin, duke krijuar ambiente të sigurta e tërheqëse për aktivitete kulturore e sociale.

 

Treg modern dhe infrastrukturë tregtare

FSHZH ka shpallur gjithashtu garën për fazën e dytë të investimeve në infrastrukturën e tregjeve dhe hapësirave multifunksionale në Vlorë, me fond limit 179 milionë e 339 mijë lekë. Projekti synon transformimin e tregut ekzistues, i cili sot funksionon me njësi të hapura të vendosura pa rregull, duke krijuar struktura moderne me hapësira të organizuara për shitje, magazinim dhe shërbime. Projekti parashikon lehtësimin e qarkullimit për klientët dhe krijimin e një tregu më funksional e bashkëkohor.

 

Rikonstruksioni i rrugëve dhe ndikimi në zonë

Do të rikonstruktohen rrugët ekzistuese me trafik të kufizuar, duke krijuar sheshe të përshtatshme për përdorimet tregtare dhe qarkullimin e mjeteve e kalimtarëve. Projekti pritet të rrisë vlerën e aseteve në zonë dhe të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetesës për banorët.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat